
Gjatë debatit për kandidatët e Gjykatës Kushtetuese, deputeti demokrat Viktor Gumi i ka dhënë një drejtim interesant cështjes së kohëzgjatjes së mandatit të anëtarëve të Kushtetueses.
Sipas Kushtetutës, mandati i anëtarëve të kësaj gjykate përtërihet me një të tretën e tyre cdo tre vjet, por zoti Gumi ka konstatuar se prej 10 vjetesh, rotacioni nuk ka ndodhur.
Përtëritja e mandatit me një të tretën nuk është kryer dhe të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë ushtruar mandat të plotë 9 vjecar, ndërsa tre prej tyre edhe 12 vjecar, për shkak të një përcaktimi ligjor të vitit 2000.
Për këtë arsye, zoti Gumi paraqiti në komisionin e ligjeve një draft-kërkesë për Gjykatën Kushtetuese, e cila duhet të interpretojë këtë konflikt për mandatin e anëtarëve të saj.
Deputeti Gumi u kërkoi të gjithë anëtarëve të komisionit të ligjeve ta mbështesin këtë kërkesë të tij dhe ta cojnë bashkarisht cështjen në Gjykatën Kushtetuese, për të cilën duhen 28 firma.
“Ne kemi një mekanizëm dhe unë propozoj një mekanizëm konkret, profesional dhe jopolitik, që është dërgimi në Kushtetuese i cështjes së mandateve. Do të bëjmë si do të bëjmë, por do ta gjejmë edhe një deputet për ta cuar në Kushtetuese”, ka deklaruar Gumi.
Është ende herët për një përgjigje nga anëtarët socialistë të komisionit të ligjeve, nëse do t’i bashkohen apo jo kësaj kërkese.
Por zoti Gumi paralajmëroi Kuvendin se, nëse do të votonte të enjten të katër kandidaturat e presidentit, do të shkelte nenin e Kushtetutës që parashikon parimin e rotacionit cdo tre vjet.
“Edhe me dekretet e presidentit të Republikës, ne rast se ato votohen nga Kuvendi në formatin që kanë ardhur, unë mendoj se propozohet të ketë një bashkëjetesë edhe për nëntë vite të tjera me këtë thyerje të Kushtetutës. Prandaj gjykoj që sot është momenti i duhur për të sjellë edhe përbërjen e Gjykatës Kushtetuese me rotacionin kushtetues të saj brenda shinave kushtetuese”, ka shtuar Gumi.
Top Channel