
Politikani dhe anëtari më i ri i Partisë Socialiste, Erjon Veliaj, i ftuar në emisionin “Shqip” në Top Channel u shpreh i bindur se pavarësisht nga abuzimet që mund të ketë me liberalizimin e vizave, shqiptarët nuk do të penalizohen.
Duke sjellë ndërmend rastin e Rumanisë, ku pas liberalizimit të vizave miliona qytetarë rumunë u dyndën drejt Europës, Veliaj tha se numri i shqiptarëve që mund të abuzojnë me liberalizimin e vizave nuk mund të krahasohet me atë të rumunëve për shkak të popullsisë më të madhe që ka Rumania.
Zoti Veliaj tha gjithashtu se pengesë tjetër për shqiptarët që kërkojnë të përfitojnë nga vizat për t’u punësuar në Europë është edhe kriza ekonomike që ka përfshirë Kontinentin e Vjetër, që sipas është më i varfër me vende pune.
“Nuk besoj se do të vuajmë nga një penalizim i mundshëm. Europa me të cilën do të përballemi në Krishtlindje është më e varfër me vende pune për shkak të krizës ekonomike”, tha Veliaj.
Gjithësesi kriza ekonomike për analistin tjetër të ftuar në “Shqip”, Artur Zheji favorizon punën në të zezë, që do të jetë edhe “objektivi” i disa shqiptarëve pas liberalizimit të vizave me zonën Shengen.
Top Channel