Një sulm kamikaz ka rikthyer hijen e terrorit në qytetin më të madh të Turqisë, Stamboll.
Të paktën 15 vetë mbetën të plagosur nga shpërthimi që ende nuk është marrë përsipër nga asnjë grup.
Por BBC thotë se dita e dielë shënon fundin e armëpushimit 2 mujor të rebelëve kurdë.
Shënjestra e sulmit mund të kenë qenë forcat e sigurisë të stacionuara në sheshin qendror të qytetit. Në mesin e të lënduarve janë edhe 9 agjentë policie, që të gjithë në gjendje kritike për jetën. 6 të tjerët janë civilë.
Shpërthimi ndodhi shumë pranë monumentit të pavarësisë në sheshin Taksim, që është gjithmonë i mbushur plot me njerëz. Duke qenë se kjo pjesë e tij është shpeshherë zonë tubimesh, aty janë vendosur edhe skuadra policore, që patrullojnë rregullisht.
Dyshimet për atentatet rëndojnë sa mbi fraksionet separatiste kurde, aq edhe mbi grupet e lidhura me Al Kaedën. Këta te fundit janë të vegjël në Turqi, por mjaft aktivë.
Ishte një i tillë në fakt përgjegjës për sulmin me bombë të 2003-shit në ambasadën britanike në Stamboll, ku mbetën të vrarë 28 vetë.
Top Channel