Edhe partia e kryeministrit Thaçi e sheh mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë si rrugëdalje nga kriza institucionale. Ajo çka ende mbetet enigmë janë votat e deputetëve të PDK-së të martën në Kuvend, kur edhe është planifikuar të hidhet në votim mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit Thaçi.
Në një konferencë për media zëdhënësi i PDK-së Blerand Stavileci tha se PDK-ja është pro zgjidhjeve kushtetuese dhe të shpejta, por nuk sqaroi qendrimin ndaj mocionit.
Zëdhënësi, njëherësh Ministri i Bujqësisë në qeverinë e Kosovës, Blerand Stavileci la të hapur mundësine hyrjes në koalicion qeverisës me të gjitha subjektet politike përfshi edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Por ai mohoi që në këtë kohë po zhvillohen biseda me ndonjë subjekt politik.
Ndërkaq i pyetur rreth akuzave të kryetarit të PDSH-së Menduh Thaçi në drejtim të anëtarëve të PDK-së, Stavileci tha se këto u takojnë zhvillimeve politike të një shteti tjetër.
Top Channel