Lacio s’ndalet, mund edhe Palermon

31/10/2010 16:55

Cinike, konkrete, e saktë e mbi të gjitha që nuk e vë asnjëherë në rrezik fitoren. Kjo është fytyra e skuadrës së Lacios në këtë sezon të Serisë A.

Bardhekaltërit kanë arritur një tjetër fitore të rëndësishme, siç ishte ajo ndaj Palermos në Siçili, me rezultatin 0-1.

Fati i takimit u vendos nga një gol i shënuar nga Andre Dias në minutë e 27 të takimit. Në minutat në vazhdim, vendasit e Palermos kontrolluan thuajse të gjithë lojën, por rreshtimi i saktë në mbrojtje i skuadrës kryeqytetase dhe disa gabime të vetë siçilianëve në sulm, penguan ndryshimin e rezultatit, Lacio fiton 0-1.

Në ndeshjet e tjera Udineze mundi në transfertë Barin 0-2, Napoli po në transfertë fitoi minimalisht 0-1 me Breshian, ndërsa Kaljari mundi 2-0 Bolonjën. Cezena, ku luan edhe Bogdani u mund në fushën e saj 0-1 nga Sampdoria, ndërkohë që Parma e Kievo ndanë nga 1 pikë pas barazimit të bardhë 0-0.

Skuadra kryeqytetase vazhdon të mbajë e vetme kreun me 22 pikë dhe e shkëputur 4 pikë nga vendi i dytë që mbahet nga Interi me 18 pikë. Milan ndjek me 17 pikë  në vendin e tretë, ndërsa Juventus mban vendin e katër me 15 pikë, po aq sa Napoli.

Në mbrëmje luhet ndeshja Katania-Fiorentina, që mbyll javën e nëntë të Serisë A.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA