Thellohet çarja në gjirin e LDK-së pas publikimit të lëvizjes me emrin “Lista Rugova”. Drejtuesit e kësaj partie e kritikuan duke thënë se në zgjedhje LDK nuk mund të garojë me dy lista.

Vetëm një ditë pas krijimit të fraksionit brenda LDK-së nga djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova, Uka dhe Bujar Bukoshi, ka reaguar kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe degët e saj.

“Mendimi ndryshe, edhe në këtë proces, shihet si një shtytës i madh për forcimin dhe zhvillimin e LDK-së. Por, mendimi ndryshe nuk nënkupton se mund të arrihet në krye të partisë pa hyrë në proçesin e votimit”, thuhet në këtë reagim.

Në këtë mënyrë kundërshtohet ideja e Rugovës dhe Bukoshit për të ofruar alternativën e tyre. Madje, gjatë së premtes Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ramë Manaj ka deklaruar se në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk mund të garojnë dy lista të LDK-së.

Por, ish-kandidati për kryetar të LDK-së, Bujar Bukoshi ka deklaruar se lista alternative “LDK – Ibrahim Rugova” do të regjistrohet në KQZ si iniciativë qytetare, dhe se do të garojë si e veçantë, por nën ombrellën e LDK-së.

Gjatë së enjtes Ukë Rugova e kishte akuzuar rëndë kryetarin aktual të LDK-së, Fatmir Sejdiun.

“LDK-ja e manipuluar nga Hashim Thaçi dhe interesat personale të Fatmir Sejdiut e ka adresën te Qafa”, kishte deklaruar Ukë Rugova.

Kurse në reagimin e kryesisë së LDK-së thuhet se akuzat që i bëhen kryesisë së kësaj partie dhe kryetarit të saj, janë të papranueshme.

Madje, LDK në reagimin e saj ka vlerësuar se ky është një ngatërrim i qëllimshëm dhe në përputhje të plotë me terminologjinë që para disa ditësh e përdorën eksponentë të një partie tjetër rivale”, duke aluduar në PDK-në e Hashim Thaçit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA