Tirana kërkon parà

29/10/2010 12:00

Edhe Federata Shqiptare e Futbollit i kthen shpinën Tiranës. Të ndodhur përballë ultimatumit të futbollistëve, të cilët kanë kërcënuar se do të bojkotojnë stërvitjen dhe ndeshjet nëse nuk u shlyhen pagat deri në fillimin e javës së ardhshme, drejtuesit e klubit bardheblu janë përplasur në dyert e institucionit që drejton futbollin.

Ata pretendonin se një pjesë e problemit me vonesat e pagave për sportistët lidhen me vonesat e federatës në kalimin e fondeve që skuadra ka përfituar nga UEFA, prej aktivizimit në kupat e Europës.

Shefi i klubit 24 herë kampion, Rauf Dimraj, ka thënë: “Pavarësisht respektit që kam për FSHF-në, ky institucion na ka mbajtur peng për dhënien e parave. Me këto fonde, të cilat kapin shifrën e 65 mijë eurove, do të kishim zgjidhur një pjesë të problemit. Nuk mund të vihet në dyshim që çështja financiare lidhet edhe me bllokimin e financave prej gjyqit me ish-presidentin Seferi”.

Tirana vazhdon të ngulmojë se ka fonde të mjaftueshme në FSHF për të bërë paqe me futbollistët dhe për të mos kompromentuar sezonin. Por, drejtuesit e federatës janë distancuar menjëherë nga gjendja e keqe financiare e kryeqytetasve, madje duke hedhur poshtë pretendimet e tyre se kanë fonde për të tërhequr. Sekretari i përgjithshëm i “qeverisë” së futbollit, Eduard Prodani, ka bërë të ditur se bardheblutë jo vetëm që nuk kanë më parà në gjendje pas ndeshjeve ndërkombëtare, por ata kanë hyrë në borxhe edhe me federatën.

Kjo lidhet me tërheqjen e afro 20 mijë eurove, të cilat janë përdorur për të shlyer pjesërisht detyrimet financiare ndaj futbollistëve të huaj që militojnë gjatë këtij sezoni me bardheblutë. Këtë qëndrim, Prodani ia ka paraqitur edhe presidentit donator të Tiranës, Refik Halili, i cili është paraqitur dje në zyrat e federatës me shpresën se do të gjente një zgjidhje të përkohshme. “Të gjitha lëvizjet e parave që Tirana ka kryer për fondet që kalojnë nëpërmjet FSHF-së, ne ia kemi bërë transparente këtij klubi”, deklaroi Prodani. “Duke u bazuar te dokumentacioni që kemi, mund të them se jo vetëm që Tirana nuk ka më asnjë qindarkë për të tërhequr në federatë, por ky klub ka shkuar në minus me institucionin tonë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA