Taksat për bankat, tërhiqen Financat

29/10/2010 08:20

Sektori bankar ka bindur Ministrinë e Financave të tërhiqet nga plani për të mos njohur në bilanc për efekt tatimi, shpenzimet për provigjionet, pjesa që mbulon kreditë e këqija.

Pas një jave diskutimesh të forta në zyrat e ministrisë, Shoqata e Bankave ka arritur t’ia dalë me sukses, duke mos ndryshuar ligjin që i rriste më shumë detyrimet për t’u paguar në tatime.

Argumenti kryesor i tyre ishte kostoja e lartë dhe fakti se asnjë vend në botë nuk e aplikonte skemën që kërkonte qeveria.

I gjithë debati rreth ndryshimeve të propozuara në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, nisi rreth dy javë më parë, kur ministri Ilir Meta, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Konsultativ të Biznesit, i bëri me dije sektorit bankar propozimet e paraqitura nga Ministria e Financave.

Bëhej fjalë për nenin 25 të ligjit, “Rezervat ligjore për bankat dhe shoqëritë e sigurimit”, që prek masën e njohjes si shpenzim të zbritshëm, të masës së provigjioneve që krijojnë shoqëritë bankare.

Këtyre shoqërive u njihen provigjionet në masën e përcaktuar në kuadrin ligjor të Bankës së Shqipërisë, ligji nr. 9662, datë 18.12.2006 “Për bankat” dhe në rregulloren “Për administrimin e rrezikut të kredisë”.

Ky propozim i nxirrte bankat me detyrime të larta për të paguar në arkën e shtetit në formën e tatimit mbi të ardhurën, në masën 10 për qind.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA