Ruci: Berisha s’ka vullnet për zgjidhje

29/10/2010 13:15

Kryetari i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruci deklaroi se kryeministri Sali Berisha nuk po tregon vullnet për zgjidhjen e krizës edhe pse ai është shkaktari i saj.

“Krimi dhe korrupsioni, kapacitetet e dobëta administrative dhe kriza politike e shkaktuar nga Berisha janë arsyet e forta që do të ndikojnë në vendimin e ndërkombëtarëve evropianë për të mos hapur bisedimet për anëtarësimet e vendit në Bashkimin Evropian”, tha Ruci.

Sipas tij, qeverisë i është dhënë kohë mbi 15 muaj për zgjidhjen e krizës politike, por kryeministri nuk ka vullnet për zgjidhjen e krizës politike.

“Cdo ditë që kalon na tregon se sa të vështirë e ka Berisha bërjen e transparencës së zgjedhjeve, kryefjalë e kauzës sonë dhe rekomanduar edhe në rezolutën e Parlamentit Evropian”, tha Ruci.

Në deklaratën e sotme për shtyp, Ruci shprehu shqetësimin për kërcënimin e bërë për deputetët Ermonela Felaj dhe Sajmir Tahiri, nga bashkëshorti i ministres së Integrimit, Majlinda Bregu dhe nga kolegu demokrat Edi Paloka.

Po ashtu Ruci përmendi edhe vendimin e padrejte për shembjen e ish-piramidës, pa u konsultuar dhe diskutuar më parë në komisionet parlamentare, me qëllim heqjen e vëmendjes nga kriza politike dhe shfaqjen e krizave të reja.

Kreu i kuvendorëve socialistë permendi edhe votimin për heqjen e mandatit të deputetëve Ilir Beqja se nuk ishte i saktë e megjithatë kryeministri vazhdoi të veprojë në shkelje të plotë të Kushtetutës.

Në fund të deklaratës Ruci kërkoi zbardhjen e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi dhe kryekomunarit të Tërthorës Rezmi Veseli, duke bërë përgjegjës pushtetin e kryeministrit Sali Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA