Renditja e universiteteve, orientim për studentët

29/10/2010 08:45

Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, përshëndet dhe vlerëson projektin e Ministrisë së Arsimit për renditjen e institucioneve të arsimit të lartë në vend.

“Lëvizja Socialiste për Integrim e vlerëson këtë mekanizëm si një mjet që do të ndihmojë universitetet në rrugën e tyre drejt cilësisë, për të rritur shkallën e cilësisë, duke rritur kërkimin shkencor, duke i orientuar më shumë studentët drejt tregut të punësimit dhe duke krijuar mekanizmin e nevojshëm për të realizuar cilësinë dhe produktin”, tha Malaj.

Sipas saj, LSI-ja vlerëson dhe mbështet politikat për t’i bërë universitetet tona publike dhe private qendra shumë të rëndësishme në drejtim të zhvillimit të shkencës dhe kulturës së shoqërisë.

“Këtë vit, 70 për qind e të rinjve që mbaruan maturën u ulën në bankat e universiteteve dhe 91 për qind e nxënësve që mbaruan shkollën 9-vjeçare u ulën në bankat e shkollave të mesme. Këta dy tregues janë të një rëndësie kapitale për të ardhmen e shoqërisë dhe vendit në përgjithësi”, theksoi zv.ministrja.

Ajo pohoi se Lëvizja Socialiste për Integrim, duke mbështetur këtë nismë, shpreh besimin se e gjithë armata e pedagogëve që sollën arsimin e lartë në këtë stad me një shpejtësi të parashikueshme, me ambicie pozitive, me përkushtim të veçantë, e bëjnë më të qartë vizionin për të ardhmen e vendit, duke bërë që këto universitete të ngjisin çdo vit shkallët e cilësisë dhe të përmbushin gjithnjë e më mirë misionin e tyre.

“LSI-ja është e bindur se ky proces do të ndihmojë në rendjen pas zgjerimit të lirive në universitetet tona, duke ndërtuar një të ardhme më të sigurt dhe më të garantuar, si një nevojë shumë e domosdoshme në pragun e liberalizimit të vizave, si një produkt i rëndësishëm i politikave të qarta”, sqaroi Malaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA