Pirateria, 50 ndëshkime kabllorëve

29/10/2010 08:30

Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit është vënë në lëvizje pas denoncimeve të detajuara që platforma “DigitAlb” ka depozituar pranë këtij institucioni në lidhje me piratimin e vazhdueshëm të programeve televizive nga televizionet kabllore në disa rrethe të vendit.

Kompania “DigitAlb” ka kryer gjatë gjithë vitit monitorime të pavarura, nga të cilat ka siguruar prova për një numër të madh operatorësh televizive kabllorë që transmetojnë në mënyrë ilegale sinjalin e kanaleve të platformës “DigitAlb”, si dhe evenimente të rëndësishme sportive, për të cilat paketa “SuperSport” ka të drejtat e transmetimit.

Një raport i hollësishëm për të gjitha rastet e miratimit, shoqëruar me regjistrimet përkatëse iu dorëzua Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit më 10 tetor 2010 dhe më 25 tetor, kryetarja e këtij këshilli, Endira Bushati, u përgjigj me një shkresë zyrtare, me anë të së cilës njofton masat e marra gjatë vitit 2010 ndaj operatorëve televizivë kabllorë të denoncuar për vjedhje të programeve.

KKRT-ja njofton se që nga janari 2010 janë marrë 25 masa ndëshkimi me gjobë dhe 25 paralajmërime për operatorët kabllorë, të cilët kanë shkelur të drejtat e transmetimit.

Gjithashtu, KKRT-ja ka urdhëruar bllokimin e dy operatorëve, përkatësisht “TV kabllor Lapardhaja” dhe “TV dixhital Saranda”, si dhe ka filluar procedurat e inspektimit dhe të hetimit administrativ për operatorët kabllorë “TV Lezha” dhe “TV Silvi”.

Në përgjigjen për “DigitAlb”, KKRT-ja angazhohet se do të ushtrojë kontrolle të vazhdueshme për të siguruar respektimin e të drejtave të transmetimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA