Piramida, Manjani: Parlamenti po sillet si pronar

29/10/2010 00:20

Duke diskutuar anën ligjore të vendimit të Kuvendit mbi shembjen e “Piramidës”, juristi dhe anëtari i Asamblesë së Partisë Socialiste, Ylli Manjani foli për moskorrektesë.

Sipas zotit Manjani parlamenti nuk mund të përfshihet në çështje të tilla, pasi sipas tij ekzistojnë strukturat përkatëse, si KRRT.

“Parlamenti i Republikës së Shqipërisë nuk është pronar pronash, ekziston Këshilli i Rregullimit të Territorit. Vendimi i parlamentit është zero nuk ka vlerë”, tha juristi Manjani.

Ndërkohë, Klement Kolaneci autori i “Piramidës”, i ftuar në panelin e Top Show, deklaroi se ndërtesa nuk është një monument, por futet në grupet e ndërtesave me arkitekturë monumentale.

“Ndërtesa nuk është monument, hyn në grupin e ndërtesave me arkitekturë monumentale. Qytetet janë si familjet, nuk ka vetëm çifte të reja, por edhe gjyshërit dhe gjyshet, s’mund të vrasim gjyshërit në emër të modernizimit”, deklaroi zoti Kolaneci.

Për të argumentuar mendimin e tij për të mos prishur ‘krijesën e tij’ Kolaneci solli shembullin e kishave ortodokse greke në Konstandinopojë pas pushtimit osman, ku nuk u shkatërruan por u përshtatën në xhami, që sipas tij mbeten mrekulli të arkitekturës së Stambollit të sotëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA