Josa u beson “senatorëve”

29/10/2010 12:30

Puna e Mirel Josës te Vllaznia ka nisur nga ndërtimi i marrëdhënieve të forta me lojtarët kryesorë. Skuadra që trajneri pritet të hedhë në fushë në sfidën e “Loro Boriçit” me Flamurtarin, pritet që të ketë shumë ndryshime, në krahasim me formacionin kuqeblu që paraqitej nga paraardhësi i tij, Radonjiç.

Lëvizja e parë e Josës ka qenë besimi te “senatorët”, të cilët kanë qenë të “persekutuar” gjatë aventurës së teknikut malazez.

Duke e njohur mirë ambientin shkodran, por edhe peshën që lojtarët vendas kanë brenda skuadrës dhe te tifozët, ish-trajneri i Shkumbinit mendon t’u japë atyre besim të plotë. Ndryshimet nisin nga porta, ku Armir Grima është kthyer sërish në lojë për një fanellë titullari.

Portieri veteran, i cili po luan sezonin e tij të 23 me Vllazninë, tashmë nuk do të ndihet më i lënë në hijen e “gardianit” Vujadinoviç. Edhe pse ky i fundit është paraqitur mjaft mirë me kuqeblutë, Grima cilësohet një kandidat serioz për portën. Me balotazhin ndërmjet dy portierëve, ku asnjëri nuk mund të cilësohet më si numri 1 i padiskutueshëm, synohet të rritet konkurrenca dhe rrjedhimisht kualiteti në fushë.

Në formacionin titullar rikthehet edhe Amarildo Belisha. Ish-mbrojtësi i Kombëtares ishte një prej lojtarëve, të cilëve Radonjiç nuk ia hidhte sytë sa herë që kthehej nga stoli i rezervave. Ai do të rimarrë vendin në krahun e majtë të mbrojtjes, duke kaluar mes rezervave Jasiç. Në mesfushë Josa do t’ia besojë lojën Albert Kaçit, ndërsa në sulm, goleadori Vioresin Sinani do të rimarrë vendin e tij në formacion.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA