Nuk ka krizë institucionale në Kosovë. E gjithë situata politike e krijuar para gati dy javëve, që kur LDK doli nga bashkëqeverisja, është situatë normale për ambasadorin amerikan në Prishtinë, Christopher Dell.

“Ju e patë si krizë, unë nuk e shoh si të tillë. Unë e shoh si pjesë të zakonshme të një procesi normal dhe demokratik në një shtet i cili ka një sistem parlamentar, ku qeveria kërkon ndihma të ndryshme nga Parlamenti dhe më pas mund të kemi edhe zgjedhje ku populli do t’i zgjedhë udhëheqësit e vetë”, ka deklaruar Dell.

“Mendoj që e gjithë kjo është një shenjë e shëndetshme e maturisë dhe e pjekurisë që institucionet kosovare po e tregojnë se ato janë të afta për t’u përballur edhe me një situatë të këtillë”, ka pohuar ai.

Por edhe vetë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se dalja e LDK-së nga qeveria ka shkatuar krizë të thellë institucionale.

Më tej Dell tha se në takimet që ka pasur me kryeministrin nuk i ka dhënë ndonjë ide se si të veprojë pas prishjes së koalicionit qeverisës, meqenëse, sic tha ai, nuk është detyrë e tij t’ia thotë këtë.

“Kosova nuk është vendi im dhe nuk është detyrë e imja që të vendos dhe t’u them partive politike të Kosovës që të bëhen bashkë apo të vendosin si do ta formojnë qeverinë dhe cila do të jetë barazpesha. Në fund të fundit kjo është diçka që duhet të vendoset nga populli i Kosovës. Unë jam ambasador i SHBA-ve në Kosovë e jo përfaqësues i ndonjërit nga subjektet politike në Kosovë”, ka shtuar Dell.

Ambasadori amerikan i bëri këto deklarata pas një takimi me ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota.

Qeveria amerikane i dhuroi kësaj ministrie dhe asaj të Shëndetësisë pajisje personale mbrojtëse me vlerë rreth gjysmë milion dollarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA