PS braktis Kuvendin; 4 kushte Berishës

28/10/2010 12:00

Seanca parlamentare ishte një tregues i fortë sesa shumë ndahen në koncepte dy partitë më të mëdha të vendit, jo vetëm për cështjen e zgjedhjeve, por edhe për disa cështje të reja që kanë tensionuar së tepërmi marrëdhëniet ndërkaq të acaruara.

Mandati i deputetit socialist Ilir Beqja, shembja e piramidës për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, të konsideruara si antikushtetuese nga opozita, dhe moszbardhja e vrasjes së dy përfaqësuesve të Partisë Socialiste, janë bërë për opozitën cështje, pa zgjidhjen e të cilave ajo ka deklaruar se nuk kthehet në Parlament.

“Shpallni nul vendimin për mandatin e deputetit Beqja, anuloni vendimin për kompleksin e ri parlamentar, ktheni përgjigje për ofertën e opozitës për të bërë reformën zgjedhore dhe jepni një përgjigje për vrasjet e dy përfaqësuesve të opozitës. Në pritje të kthimit të përgjigjes dhe të reflektimit tuaj për këto ngjarje, nga ky moment PS braktis Parlamentin”, ka deklaruar kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruci.

Me sallën gjysmë bosh, kryeministri Berisha ka dhënë përgjigjet për socialistët, përgjigje të cilat shkonin në të kundërt të kërkesave të socialistëve.

Për piramidën kryeministri rikonfirmoi qëndrimin e mbajtur në fillim të fjalës se nuk ka kthim mbrapa. “Nuk dua t’ja u fshehim. Mauzoleumi i Enverit i ka javët dhe muajt e numëruara”, ka deklaruar Berisha.

Për vrasjet e përfaqësuesve socialistë, sipas kryeministrit, po bëhen përpjekje për zbardhjen e tyre, por ato nuk duhen përdorur politikisht.

“Nuk ekziston fakti më i vogël se Fatmir Xhindi apo i ndjeri tjetër kanë pasur probleme politike. Përdorimi i vdekjeve për qëllime politike është makabritet”, ka pohuar Berisha.

Kryeministri Berisha mbrojti si të rregullt vendimin për të cuar në Gjykatën Kushtetuese cështjen e heqjes së mandatit të deputetit Ilir Beqja.

Ndërsa për propozimin e Partisë Socialiste për hetimin e zgjedhjeve, kryeministri tha se ai ishte një propozim i vjeter dhe se ishte refuzuar në shtator nga PD.

Nëse opozita nuk pranon ndryshimin e draftit, atëherë sipas kryeministrit, zgjidhja është ankimi në Gjykatën e Strasburgut për të lejuar rinumërimin.

“Në këtë kërkesë, zoti Rama shkruan se anëtarët e komisionit duhet të bëjnë një hetim të pakufizuar. Unë jam për hetime pa asnjë kufizim. Jam i gatshëm të numërohet cdo votë dhe të ndryshohet cdo rezultat, me të vetmin kusht se duhet të vendosë gjykata”, ka theksuar Berisha.

Me sallën gjysmë bosh, pas largimit ende pa kthim të opozitës, është vënë seriozisht në pikëpyetje bashkëpunimi që pritej mes palëve.

Vecanërisht kur të premten pritet një tryezë për reformën zgjedhore në nivel ekspertësh, ftesë që kryetari i grupit socialist, Gramoz Ruci e cilësoi që në fillim si provokative.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA