Paraja iken jashtë

28/10/2010 15:25

Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se bankat po preferojnë më shumë t’i transferojnë kapitalet e tyre jashtë shtetit se sa t’i investojnë ato në tregun e brendshëm.

Sipas Bankës së Shqipërisë investimet e bankave shqiptare jashtë ishin në fund të gjashtëmujorit të parë mbi 1 miliardë dollarë, ose  73.9 për qind më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Në raportin e fundit të stabilitetit financiar, Banka e Shqipërisë vëren se rreth gjysma e këtyre fondeve janë vendosur në formën e llogarive rrjedhëse prane bankave mëma jashtë, ndërsa pjesa tjetër janë investuar në letra me vlerë të qeverive të huaja.

Ekspertët e Departamentit të Stabilitetit Financiar në Bankën e Shqipërisë, thonë se transferimi i fondeve jashtë, ka të bëjë me rrezikun e lartë që perceptojnë bankat në tregun vendas. Rritja e kredive të këqija, por edhe ngadalësimi i ekonomisë, sipas tyre, bëjnë që bankat të preferojnë më shumë investimet jashtë, ku kanë një rrezik më të ulët.

Kjo është konfirmuar tashmë edhe nga të dhënat e kreditimit të ekonomisë, kanali kryesor i investimeve të bankave. Edhe pse kriza tashmë e ka kaluar kulmin e saj kredia jo vetëm që nuk po rritet më shpejt, por përkundrazi po ngadalëson edhe më ritmet. Në periudhën qershor-gusht, kredia u rrit me vetëm 1.6 miliardë lekë, një ritëm ky dukshëm më i ulët edhe se ai i muajve të pikut të krizës.

Në terma vjetorë krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, kredia për ekonominë është rritur me 8.5 për qind, ose dy herë më pak nga periudha gusht 2008-gusht 2009. Këto të dhëna tregojnë se teksa biznesi shqiptar po e ka të vështirë të sigurojë para nga bankat, fondet e tyre po shkojnë për të financuar ekonomitë e huaja.      

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA