Pothuajse të gjithë politikanët kosovarë në Parlament janë të bindur se qeveria e kryeministrit Thaçi duhet të rrëzohet, por jo të gjithë pajtohen me mënyrën se si po bëhet kjo.

Pretendenti për kryetar të LDK-së, njëherësh deputet i Parlamentit të Kosovës, Bujar Bukoshi vuri firmën e 39-të mbi listën e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë.

Ai e bëri këtë në sy të medias por nuk preferoi të bënte komente rreth saj. Edhe një pjesë e deputeteve të LDD-së e kanë nënshkruar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë bëri të ditur nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Makolli.

“Tashmë ne po ofrojmë një mundësi që të ndërpritet kjo keqqeverisje. Do të jetë në vullnet të deputetëve që të vendosin nëse të rrëzojnë apo të mbështesin qeverinë”, ka deklaruar Makolli.

AKR-së i ka mbetur edhe një nënshkrim në mënyrë që tekstin e mocionit ta dorëzojë në sekretariatin e Kuvendit, i cili më pas do të duhej ta dërgonte tek kryesia e këtij institucioni.

Nënkryetari i AKR-së, si me shaka i është lutur deputetit të LDD-së Gani Geci që të vërë firmën mbi listën e mocionit.

Por zoti Geci e ka refuzuar një gjë të tillë duke thënë se nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes PDK–ldk dhe nuk do të jetë as pjesë e prishjes së saj.

“Nuk ka pasur nevojë për asnjë maltrajtim. Këtu nuk është problemi vetëm i institucioneve, por edhe një qeverisje të keqe”, ka deklaruar Geci.

Por cili është qëndrimi i qeverisë së Kosovës rreth mocionit. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuci refuzoi të japë një përgjigje konkrete duke thënë se pas tërheqjes së LDK-së nga koalicioni institucionet e shtetit kërkojnë zgjidhje emergjente për të dalë nga koalicioni.

“Unë mendoj se PDK do mendojë më shumë për vendin, institucionet dhe qëndrueshmërinë institucionale sesa për interesat e kujtdo tjetër”, ka deklaruar Kuci.

Si për të treguar që është afër fundit të mandatit, kryeministri i Kosovës Hashim Thaci në seancën e sotme nuk i është përgjigjur një numri të pyetjeve parlamentare. Ai i cilësonte ato të ndërlidhura me fushatën parazgjedhore.

Nëse mocioni dorëzohet sot në sekretariatin e Kuvendit, gjasat që ai të kaloj në kuvend të shtunën ose të hënën janë shumë të mëdha.

Top Channel