Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek ka deklaruar se shteti i ri do të marrë së shpejti udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

Në një intervistë për “Radio Kosova”, Lunacek nuk ka dhënë një datë të saktë se kur kjo do të ndodhë, por ka nënvizuar se një gjë e tillë është e pashmangshme.

“Këtë ma ka konfirmuar personalisht komisioneri Pierre Mirel. Nuk mund ta them me siguri të plotë, por shpresoj se strategjia e vizave do t’i jepet Kosovës këto muaj, brenda vitit”, ka pohuar Lunacek.

Eurodeputetja ka pranuar se Kosova nuk i ka plotësuar ende të gjitha kushtet për të arritur heqjen e vizave, por ka theksuar se ajo nuk mund të lihet e izoluar në Ballkan.

“Fakti që Kosova ka mbetur e izoluar në Ballkan është arsyeja përse vazhdimisht bëj trysni tek PE që të procedojë sa më shpejt me Kosovën”, ka shtuar Lunacek.

Top Channel