Fajon: S’ka patur presion për të mos liberalizuar vizat

28/10/2010 22:30

Raportuesja në Parlamentin Europian dhe eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon e ftuar në Top Story në Top Channel mohoi se ka patur lobime përkundrejt saj për të mos pezulluar apo shtyrë proçesin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë nga ana e opozitës shqiptare.

E pyetur lidhur me deklaratën e para pak kohëve të kryeministrit Berisha, i cili tha se opozita ka lobuar tek eurodeputetët e PE-së për të shtyrë procesin e liberalizimi të vizave të paktën deri më 8 maj, Fajon tha se nuk ka dijeni për një fakt të tillë dhe se ndaj saj nuk është ndërmarrë asnjë lloj presioni.

“Kam patur kontakt me të gjitha palët e përfshira, me socialistët, me palën qeverisëse dhe me Ministrin e Brendshëm që ishte partneri i diskutimit. Për ne ishte e rëndësishme të shihnim që ekzistonte dialogu, që palët diskutojnë dhe që institucionet punojnë. E rëndësishme është që vendi të ketë stabilitet. Nëse do të kisha patur presion nuk do ta merrja parasysh se unë po bëja punën time”, tha zonja Fajon.

Europarlamentarja sllovene në vijim tha se do të ndjehej e zhgënjyer nëse do të kishe patur një presion të tillë direkt.

“Si anëtare e PE-së do të isha e zhgënjyer nëse do ta kisha patur një presion të tillë direkt. Nuk ka arritur tek unë dhe nuk isha e përfshirë në ndonjë shantazh direkt. Unë konsideroja faktet dhe kriteret dhe nëse Shqipëria i përmbushte ato. Sinqerisht kam patur më shumë kontakte me pjesën qeverisëse, ndërsa për kolegët nuk e di se çfarë kontaktesh kanë patur ata”, u shpreh Fajon.

Raportuesja vlerësoi se tashmë proçesi është këtu ku është dhe se vendimi nuk u shty, çka tregon sipas saj, se edhe nëse ka patur lobim apo presion ai nuk është marrë parasysh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA