Fajon: Luftova për Shqipërinë

28/10/2010 22:05

Eurodeputetja Tanja Fajon, e cila insistoi me vendosmëri për heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë, ka deklaruar se ka arritur një synim të përbashkët, të cilin qytetarët shqiptarë e meritonin.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Fajon ka theksuar se gjatë “luftës” së saj nuk ka lobuar për asnjë forcë politike.

“Heqja e vizave qe synimi ynë i përbashkët. Shqiptarët e meritonin atë. Unë nuk kam lobuar për qeverinë apo opozitën, po e bëja këtë për njerëzit dhe njerëzit në Shqipëri më kanë nxitur të luftoj për ta. Ajo qe lufta ime për lëvizjen e studentëve, artistëve dhe muzikantëve”, ka pohuar Fajon.

Eurodeputetja ka nënvizuar se procesi nuk ka qenë i lehtë, për shkak të skepticizmit të vendeve anëtare, të cilat kishin probleme të brendshme.

“Kishte ulje dhe ngritje. Vitin e kaluar, me raundin e parë të heqjes së vizave, gjërat kaluan më butësisht. Ndërsa këtë vit kishte më shumë pengesa, nga vetë vendet anëtare, edhe për shkak të krizës ekonomike. Gjithashtu, përvec heqjes së vizave edhe qëndrimi për zgjerimin ka qenë shumë i vështirë”, ka deklaruar Fajon.

Ajo ka shtuar më tej se Tirana zyrtare arriti të plotësonte kushtet e vendosura nga BE, por ka theksuar se puna e Shqipërisë nuk mbaron me kaq, pasi monitorimi i Brukselit do të vazhdojë.

“Kishte shumë cështje të hapura që shqetësonin vendet anëtare, por unë jam e bindur se janë ndërmarrë shumë hapa në sigurimin e kufijve, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por ky nuk është fundi. Ky është vetëm fundi i një procesi, pasi monitorimi vazhdon”, ka shtuar Fajon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA