Disiplina pezullon 2 javë Blankon

28/10/2010 12:50

I drejtuar me fytyrë nga stoli kundërshtar, ka folur spanjisht, por kjo i ka kushtuar shtrenjtë trajnerit të Dinamos, Luis Blanko, të cilin Disiplina e ka pezulluar për dy javët, duke i mohuar stolin për sfidat me Kastriotin jashtë dhe Laçit brenda.

Motivi i këtij ndëshkimi sipas Komisionit, të mbledhur dje në mesditë në ambientet e FSHF-së për të shqyrtuar parregullsitë e javës së fundit futbollistike në Shqipëri, është “për sjellje e gjeste ofenduese ndaj ekipit kundërshtar në Dinamo-Bylis. Blanko pezullohet për dy javë nga të gjitha aktivitetet dhe gjobitet me 100 mijë lekë të reja”.

Ndoshta dikush i ka paragjykuar apo keqkuptuar fjalët e argjentinasit, por nuk përjashtohet që ai të ketë sharë vërtet dhe dikush në stolin ballshiot të njohë gjuhën spanjolle mjaftueshëm për të kuptuar ofendimin e trajnerit amerikanojugor, të thënë në nerva e sipër.

Megjithatë, duke besuar në procedurën e punës së Disiplinës, e cila vendimet i merr në bazë të fakteve, të cilat vijnë nga relacionet e gjyqtarëve, vëzhguesve të ndeshjes, por edhe nga provat filmike, mendohet që diçka të vërtetë në këtë mes mund të ketë. Por ky vendim nuk është përtypur dot nga Dinamo. Burime pranë kampionëve në fuqi, të cilët kryesojnë klasifikimin, mohojnë që tekniku i tyre të ketë ofenduar pankinën e Bylisit.

“Trajneri nuk është se u ka sharë stolin e kundërshtarëve. Edhe sikur kjo të kishte ndodhur, trajneri flet spanjisht dhe është e çuditshme se nga e morën vesh ballshiotët, se ai i shau”. Në fakt, nuk duhet të jetë shumë e çuditshme, pasi nuk janë të paktë shqiptarët që njohin gjuhët e huaja, gjithsesi, kjo mbetet për t’u verifikuar. Megjithatë, drejtuesit e Dinamos pretendojnë se vendimi është i padrejtë dhe për këtë arsye nuk kanë ndërmend të qëndrojnë duarkryq. “Dënimi është i padrejtë. Ne do ta apelojmë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA