Kryeministri Sali Berisha deklaroi se maxhoranca ka marrë në shqyrtim ofertën e bërë nga kryetari socialist Edi Rama një javë më parë, megjithëse propozimi mban datën 15 shtator.
Duke folur në kuvend, pas largimit të opozitës nga salla, Berisha shprehu besimin se në kuadrin e ofertës së bërë, hetimi të shtrihet deri dy muaj para zgjedhjeve të vitit 2013 për t’i dhënë kohë gjykatës për të marrë vendimet e duhura.
“Në kërkesën e tij Rama shkruan se komisioni duhet të hetojë në një kohë të pakufizuar dhe unë e mbështes, ndaj le t’ia kërkojmë gjykatave. Jam gati të numërohet cdo votë, të ndryshohet cdo rezultat, me të vetmin kusht që të zbatojmë vendimet e gjykatave”, tha Berisha.
Duke folur për cështjen e vrasjes së ish-deputetit socialist Fatmir Xhindi dhe së fundmi kryekomunarit të Tërthorës, Berisha theksoi se këto janë akte të shëmtuara kriminale dhe se drejtësia po bën punën e saj për vënien e autorëve para ligjit.
“Nuk ka asnjë fakt se Xhindi apo Veseli të kenë patur probleme politike dhe për këtë shkak të jenë vrarë. Mos abuzoni me këto cështje”, tha kryeministri.
Top Channel