Ricikluesit: Lista e gjelbër nuk kundërshtohet

27/10/2010 00:20

Përfaqësuesi i Shoqatës për Politika të Reja Mjedisore, profesor Romeo Hanxhari i ftuar në Top Show deklaroi se parimisht lista e gjelbër nuk mund të kundërshtohet dhe se përkundrazi ajo promovohet nga Bashkimi Europian.

“Lista e gjelbër nuk mund të kundërshtohet parimisht dhe pronovohet nga Bashkimi Europian. Kemi propozuar që të ngrihet një bord ku të përfshihen të gjithë faktorët e interesit, opozita dhe grupime të tjera të shoqërisë që kanë kundërshtime për miratimin e kësaj liste të gjelbër”, deklaroi zoti Hanxhari.

Më tej Hanxhari u shpreh se Shqipëria nuk duhet të trembet nga importi i mbetjeve për të shmangur lëndet radioaktive pasi sipas tij ato mund të futen kontrabandë në vend edhe nëpërmjet lodrave të fëmijëve. Për zotin Hanxhari vigjilenca mjedisore në dogana duhet të jetë e përhershme.

“Vigjilenca mjedisore duhet të jetë në të gjitha rastet jo vetëm për mbetjet pasi lëndët radioaktive mund të futen edhe me lodrat e fëmijëve”, tha Romeo Hanxhari.

Por përfaqësuesja e Bashkisë së Tiranës, Albana Dhimitri kundërshtoi importimin e mbetjeve urbane në Shqipëri pasi sipas saj vendi ynë edhe pse ka legjislacionin e nevojshëm nuk është gati për të zbatuar listën e gjelbër. Ajo kërkoi gjithashtu më shumë transparencë për qytetarët nga ana e Ministrisë së Mjedisit për vendime të tilla.

“Shqiëria nuk është gati për listën e gjelbër dhe qytetarët kanë nevojë për më shumë transparencë”, u shpreh Albana Dhimitri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA