Kreu i AKR-së Behxhet Pacolli duket se ka filluar të numërojë mbrapsht. Ndonëse nuk arriti që këtë javë ta çojë mocionin në Kuvend, atij i mbeten vetëm edhe katër nënshkrime deri në plotësimin e numrit të nevojshëm për ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së Kosovës.

Sipas burimeve partiake, ky numër pritet të plotësohet, madje edhe të tejkalohet me kontributin e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, nëse brenda 24 orësh arrihet një marrëveshje mes dy partive.

“Është shumë e vërtetë se janë siguruar 36 nënshkrime dhe jam i bindur se java e ardhshme do të jetë ajo ku ne do të prezantojmë këtë mocion”, ka deklaruar Pacolli.

Nga ana tjetër AAK kishte vënë si kusht nënshkrimet e saj me ndryshimin e tekstit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë.

Zyrtarë të kësaj partie kishin kërkuar që teksti i mocionit të evidentojë dështimet e qeverisë Thaçi dhe jo vetëm krizën institucionale të shkaktuar pas daljes së LDK-së nga qeveria.

I bindur në sigurimin e nënshkrimeve të nevojshme, numri një i AKR-së përjashtoi mundësinë e ndryshimit të tekstit të mocionit.

Zoti Pacolli tha se deri më tani nuk ka vënë firmën asnjë deputet i PDK-së, ndërkohë që edhe LDK-ja duket ende pa qëndrim rreth kësaj çështjeje. “Do shprehim qëndrimin në kohën e duhur”, ka deklaruar kryetari Fatmir Sejdiu.

AKR nuk mori mbështetjen unanime të deputetëve, sepse sic janë deklaruar disa deputetë, AKR-ja duke mos përmendur keqeverisjen në tekstin e mocionit po i bën nder qeverisë Thaci.

Top Channel