Nëse deri dje i bashkonte qeverisja, Hashim Thaçin e Fatmir Sejdiun sot i bashkon një qëllim tjetër. Në prag të zgjedhjeve nacionale, kryetarët e dy partive më të mëdha, si aktivitet kryesor duket se kanë inkuadrimin e njerëzve të rinj në partitë e tyre.

Për dallim nga LDK-ja, në të cilën aderuan anëtarët e Partisë Liberale të Kosovës, PDK-së iu bashkangjitën gazetarë, publicistë dhe sportistë. Në radhët e PDK-së hyri edhe Gëzim Kasapolli nga partia e ish kryeministrit Agim Çeku.

“Njerëzit e rinj tregojnë edhe njëherë se PDK-ja është e hapur për të gjithë qytetarët, në veçanti për njerëzit e dalluar me ide, koncepte, debate dhe filozofinë e tyre”, tha Thaçi.

“Duke pasur parasysh se këta njerëz pavarësisht moshës, kanë qenë dhe janë pjesë e rëndësishme e proçeseve të mëdha që kemi kapërcyer”, theksoi Sejdiu.

Me gjithë prurjet e reja, në pozitë më të vështirë duket se është kryeministri Thaçi sidomos kur pyetet nga gazetarët se kush po udhëheq shtetin në këtë kohë kur kabineti i tij qeveritar angazhohet në fuqizimin e partisë.

“Ne jemi duke i krijuar obligimet tona kushtetuese dhe ligjore, por në kuadër të rrethanave të reja të krijuara kemi edhe obligimet partiake që duhet t’i kryejmë me përgjegjësinë më të lartë”, tha Thaçi.

Ndërsa kryetari i LDK-së  u shpreh i gatshëm për zgjedhjet e jashtëzakonshme, ai i PDK-së i cili është edhe kryeministër, tha se është në vullnetin e deputetëve të vendosin për fatin e qeverisë.

Top Channel