Republika Ceke vlerëson se njohja e Kosovës nuk është kusht për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Qëndrimi i Pragës zyrtare është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm Karel Shvarcenberg, gjatë një vizite në Beograd.

“Kosova nuk është një kusht që i është vënë Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së. E rëndësishme është që mes vendeve të Ballkanit perëndimor të ketë një bashkëpunim të shëndoshë”, ka pohuar shefi i diplomacisë ceke pas një takimi me homologun Vuk Jeremic.

“Shpresoj se njohja e Kosovës nuk do të jetë kurrë një kusht për Serbinë, pasi është një kusht që ne nuk do të mund ta plotësonim”, është shprehur nga ana e tij Jeremic.

Më tej ministri serb ka përshëndetur vendimin e djeshëm në Luksemburg të ministrave të Jashtëm të BE, duke e cilësuar atë si “vendimin e madh” drejt rrugës për në Union.

Top Channel