Rikthehet në Kuvend marrëveshja Shqipëri-Serbi

25/10/2010 07:50

Rikthehet në Kuvend marrëveshja mes Shqipërisë dhe Serbisë për luftën kundër terrorizmit. Marrëveshja “për bashkëpunimin në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të paligjshëm ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe terrorizmit ndërkombëtar” do të diskutohet të martën në Komisionin e Ligjeve, ku pritet të ketë edhe një tjetër përplasje mes të majtëve dhe të djathtëve për konfidencialitetin e informacionit të klasifikuar.

Ajo që ndodhi në Komisionin e Sigurisë në fund të muajit shtator, pritet të ripërsëritet sërish edhe në Komisionin e Ligjeve. Socialistët dhe demokratët hodhën akuza të ndërsjella në Komisionin e Sigurisë, se zyrtarë të lartë shqiptarë kanë vënë në dispozicion të Serbisë, informacione të klasifikuara të Komitetit Ushtarak të NATO-s.

Socialistët hedhin dyshime dhe akuza, ndërsa demokratët theksojnë se çdo dyshim ka nevojë për verifikim. Komisioni i Sigurisë ka shtyrë për një kohë të pacaktuar ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë për bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Shkak janë bërë nenet 2, 3 dhe 4 të paktit që parashikojnë në vija të përgjithshme shkëmbimin e informacioneve të ndërsjella mes dy qeverive. Deputetët e opozitës kanë pretenduar se në zbatim të këtyre neneve, Beogradit zyrtar mund t’i jepen informacione të klasifikuara të NATO-s. Por Komisioni i Ligjeve ka përcaktuar në datën 26 tetor, mbledhjen e radhës për shqyrtimin e kësaj marrëveshjeje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA