Regjistrimi, qeveria ndryshon formularin

25/10/2010 08:00

Qeveria shqiptare ndryshon formularin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave. Ky proces për Shqipërinë do të nisë zyrtarisht në muajin prill 2011 dhe aktualisht qeveria është duke zhvilluar regjistrimin pilot të popullsisë dhe banesave.

Pas reagimeve të ndërkombëtarëve, institucionet shqiptare kanë nxjerrë në qarkullim një tjetër formular, i ndryshëm nga ai i pari.

Sipas formularit, qytetarët e Republikës së Shqipërisë nuk do të jenë të detyruar të deklarojnë grupin etnik që i përkasin në formularin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave që do të aplikohet në Shqipëri në muajin prill 2011. Pyetja “cili është grupi etnik që ju i përkisni”, është cilësuar në formularin e regjistrimit si deklarim i lirë dhe jo i detyrueshëm.

Po kështu, qeveria shqiptare në plotësimin e këtij formulari ka shmangur një përgjigje të detajuar në lidhje me besimin fetar, duke mos rrezikuar në këtë mënyrë një polemikë mbi statistikat për të dhënat aktuale të besimit fetar në Shqipëri. Pyetja në formularin e ri për këtë pikë është “A besoni në zot”. Deklarimi i përgjigjes është i lirë dhe jo i detyrueshëm dhe ka tri opsione “po”, “jo” dhe “preferoj të mos përgjigjem”. Ndërsa në formularin e vjetër për besimin fetar ishte pyetja që tashmë nuk ekziston në formularin e ri: “Cili është besimi juaj fetar”. Kjo pyetje në formularin e vjetër mbartte shtatë opsione si mundësi përgjigjeje” “mysliman-sunit”, “bektashi”, “krishterë-ortodoks”, “krishterë-katolik”, “asnjë besim fetar”, “preferoj të mos përgjigjem” dhe “të tjera”.

Formulari i ri

Formulari i ri përmban 43 pyetje, po të njëjtat në sasi si formulari i mëparshëm, por me ndryshime në përmbajtje. Në formularët e rinj kërkohet të specifikohet edhe prezenca e qytetarit në momentin e regjistrimit, nëse ndodhet në Shqipëri, apo jashtë saj. Meqenëse regjistrimi i popullsisë duhet të bëhet një herë në dhjetë vjet, në formularët e rinj nuk mungon as pyetja se “cili ka qenë vendbanimi juaj i zakonshëm më 1 prill 2001”.

Regjistrimi i popullsisë

Procesi i regjistrimit të popullsisë do të nisë zyrtarisht në prill 2011, por ndërkohë Instituti i Statistikave është duke kryer një regjistrim pilot. Qëllimi i këtij regjistrimi është të kontrollojë strukturën organizative, planifikimin logjistik, punën me harta në terren, metodologjinë, pyetësorët, qartësinë e manualit të anketuesit, trajnimin, si dhe ndërveprimin midis të gjitha kapaciteteve të planifikuara për t’u angazhuar në REPOB-AL 2011.

Informacioni i mbledhur gjatë regjistrimit pilot do të shërbejë si provë për të testuar programin informatik të hedhjes së të dhënave, kontrollin dhe përpunimin e tyre. Instituti i Statistikave në regjistrimin pilot në ruajtje të konfidencialitetit ka sqaruar se informacioni që do të mblidhet, do të përdoret vetëm për qëllime statistikore. Sipas INSTAT-it, këto të dhëna janë konfidenciale dhe objekt i një ruajtje të veçantë gjatë gjithë proceseve të regjistrimit pilot si: mbledhja, kontrolli, përpunimi dhe analiza e rezultateve, në përputhje me ligjin e statistikës dhe atë të regjistrimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA