Tryeza e reformës nis punën

22/10/2010 11:30

Tre minuta pasi kryeministri Sali Berisha hapi takimin për reformën zgjedhore, me praninë vetëm të partive parlamentare të mazhorancës dhe shoqërise civile, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është shfaqur krejt papritur, duke i surprizuar të gjithë.

Pas një shtrëngimi kortezial duarsh me kryeministrin Berisha, zoti Rama zuri vendin e tij, që vetëm pak ditë më parë kishte deklaruar se do ta linte bosh.

Ky vendim i tij për mospjesëmarrje u konfirmua edhe nga takimi i koalicionit opozitar tre ditë më parë. Por, mesa duket, prania e opozitës në tryezën për reformën zgjedhore të thirrur nga kryeministri Berisha, është fryti i parë i takimeve pasditen e së mërkurës me zyrtarin e Departamentit amerikan të Shtetit, Tomas Countrymen.

Ajo që mbetet për t’u realizuar tani është kreativiteti në propozime dhe fleksibiliteti për të arritur një kompromis për kapërcimin e ngërcit.

Në tryezën për reformën zgjedhore, zoti Rama i dha kryeministrit Berisha një draft/propozim, të njëjtin që deputeti socialist Fatmir Xhafa paraqiti në Parlament një muaj më parë dhe që nuk ka marrë konsensusin e mazhorancës.

Megjithatë, nëse do të ketë fleksibilitet nga të dyja palët, mund të arrihet edhe në kreativitet drejt arritjes së kompromisit.

“Unë kam ardhur këtu me ofertën për ta ngritur komisionin parlamentar sa më parë dhe paralelisht me të ne fillojmë punën për reformën zgjedhore”, ka deklaruar Rama.

“Unë ju garantoj se ky dokument do shqyrtohet me seriozitetin më të madh nga qeveria”, është përgjigjur kryeministri Berisha.

Shqetësimi kryesor i liderit të opozitës është mungesa e besimit tek zbatimi i ligjit. “Kryeministri është i sinqertë kur bën ofertën, por jo kur zbaton ligjin. Ai është i gatshëm të bëjë me ne cdo ligj, sepse më pas ai e shtrembëron. Ne duam zgjedhje të garantuara. Ligjin e ri jemi të gatshëm ta bëjmë, por duam garanci në zbatimin e tij”, është shprehur Rama.

“Edhe tre jetë po të kem, dhe po të rrëmosh në to, nuk do të gjesh gjë tjetër vec sinqeritetit të kundërshtarit”, ka replikuar Berisha.

Ajo që kërkon zoti Rama nëpërmjet hetimit është garancia ligjore për ndëshkimin e komisionerëve që shkelin Kodin, duke shitur votat, një gjë që kreu i opozitës e tha fare hapur.

“Të ndëshkojmë ata që në emër të ligjit janë ulur në tryezat e administrimit zgjedhor dhe pastaj për shkak të korrupsionit kanë ndëshkuar këtë proces. Natyrisht, nëse të gjitha këto do të provohen. Ligji nuk mund të shkelet nga korrupsioni zgjedhor”, ka nënvizuar Rama.

“Nuk mund të flas për krim kolektiv, se 20 apo 40 mijë komisionerë e vëzhgues paskan kryer vjedhje votash. Komisionerët tuaj paskan qenë ëngjëj! I kemi pasur në mënyrë të barabartë”, ka reaguar kryeministri.

Kryeministri Berisha u deklarua i gatshëm në cdo moment edhe për rinumërimin e votave, nëse ky do të jetë verdikti i Gjykatës Kushtetuese, apo Gjykatës së Strasburgut.

Për të garantuar hapësirën kohore për këtë, kreu i qeverisë bëri një deklaratë po aq surprize sa edhe prania e kreut të opozitës në këtë tryezë.

“Sot dhe deri dy muaj sa të fillojë fushata tjetër për zgjedhjet e vitit 2013, Sali Berisha rri disponibël për të numëruar cdo votë dhe absolutisht nuk do të digjen kutite. Ta dijë opozita”, ka theksuar Berisha.

Megjithatë, nuk dihet fati i vazhdimit të tryezës me opozitën, pasi pas kërkesës së kryeministrit Berisha për ta vazhduar atë në nivel ekspertësh në Parlament, kreu i socialistëve bëri të qartë se takime të tjera janë të panevojshme nëse nuk zgjidhet cështja e hetimit të zgjedhjeve të kaluara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA