Zyrtarët kosovarë shprehen optimistë që raporti i progresit i cili do të publikohet në muajin nëntor do të jetë më pozitiv krahasuar me një vit më parë.

Ministri i brendshëm Bajram Rexhepi thotë se janë plotësuar shumë rekomandime të dala nga raporti i kaluar dhe se këtë vit Kosova nuk do të jetë në qendër të kritikave.

“Policia ka arritur shumë rezultate sidomos në 6 muajt e fundit, po ashtu edhe në procesin e sigurisë ka patur funksionalizim total”, tha ministri. Rexhepi thotë se është shënuar përparim i dukshëm edhe në aspektin e sigurisë në Mitrovicën e Veriut dhe si rrjedhojë, shumë parti politike serbe atje kanë treguar gatishmëri për të marrë pjesë në zgjedhje.

“Indirekt kanë shprehur gatishmëri shumë parti serbe për të marrë pjesë në zgjedhje”, tha Rexhepi.

Sa i përket emërimit të drejtorit të ri Përgjithshëm të Policisë pas shkarkimit të ushtruesit te detyres Behar Selimi, Rexhepi tha se gjatë javës së ardhshme do të emerohet drejtori i ri.
Ministri i Brendshëm ritheksoi se, Behar Selimi personalisht ka kërkuar të futet në politikë dhe të lerë policinë. Ai mohoi cdo presion të mundshëm ndaj tij.

Top Channel