Partia Demokratike e Kosovës i ka drejtuar sytë në Kuvend, nga ku pret që të dalë ndonjë vendim për të tejkaluar krizën institucionale. Ndërsa në PDK thonë se nuk kanë arsye të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Thaçi.

Në anën tjetër LDK nuk përjashton mundësinë e votimit në Kuvend të mocionit për votëbesimin e qeverisë Thaçi.  
 
PDK dhe LDK, dikur aleatë në qeveri, por brenda një jave duket se janë shndërruar në armiq.    
 
Kurse, AAK vlerëson se e gjithë përgjegjësia për situaten e keqe në Kosovë bie mbi këto dy parti, dhe mbi kryeministrin “ne largim” siç e cilësojnë ata Hashim Thaçin.  
 
Mes kësaj situate edhe të enjten kanë vazhduar polemikat ndërmjet ish-aleatëve. Nënkryetari i PDK-së Bajram Rexhepi i ka kërkuar ish-Ministrit të Jashtëm, Skënder Hysenit, që të japë llogari për më shumë se 15 njohje të shtetit, të cilat sipas tij janë bllokuar e po vonojnë.
 
Po ashtu, PDK e akuzon ish partnerin qeverisës si shkaktar të krizës institucionale, ndërsa në LDK thonë se diçka e tillë nuk ka ndodhur.

Top Channel