Eurodeputetja Tanja Fajon ka deklaruar se Shqipëria ndodhet pranë një momenti të madh, atë të heqjes së regjimit të vizave me vendet e BE-së.
Deklaratën e saj Fajon e bëri në një takim me kryetarin e PS, Edi Rama në selinë e bashkisë së Tiranës, ku ka përdorur tone miqësore me bashkëbiseduesin.
“I dashur Edi, qytetarë të këtij qyteti dhe deputetë të PS, jam e nderuar për këtë vlerësim nga ky qytet që zhvillohet me hapa galopantë. Celësi simbolizon hapjen e një dere dhe unë bashkë me deputetët e tjerë bëmë gjithcka për ta hapur këtë derë për Shqipërinë”, ka pohuar Fajon.
Ajo ka theksuar se rruga e Shqipërisë për heqjen e vizave ka qenë e gjatë dhe e vështirë, por ka nënvizuar se shqiptarët e meritonin këtë të drejtë.
Eurodeputetja është shprehur se kjo arritje ka ardhur pas përpjekjeve të shumta të bëra prej saj personalisht, si dhe nga Sllovenia, vendi nga i cili ajo vjen.
“Këto përpjekje ishin të suksesshme sepse unë pata mbështetjen e kolegëve evropianë dhe mbështetjen nga Sllovenia, e cila do të ndihmojë vendet e tjera të Ballkanit perëndimor që të afrohen me Evropën”, ka deklaruar Fajon, e cila ka bërë të ditur se do të vazhdojë përpjekjet në mënyrë që 8 nëntori të jetë dita e fundit e këtij procesi.
“Unë do kthehem në Bruksel dhe do vijoj punën që 8 nëntori të kthehet në ditën përfundimtare të këtij procesi”, ka thënë Fajon.
Më tej ajo ka shprehur dëshirën që së shpejti, edhe Kosova, ashtu si vendet e tjera fqinje, të përfitojë heqjen e regjimit të vizave.
“Sot erdha me makinë nga Prishtina. Ishte një nga udhëtimet më të bukëra dhe shpresoj që i tillë të jetë edhe udhëtimi i Kosovës drejt heqjes së vizave”, ka shtuar Fajon.
Top Channel