Bllokohet përkohësisht ekstradimi i Kumbaros

22/10/2010 00:00

Bllokohet përkohësisht në Londër procesi shqyrtimit të kërkesës së ekstradimit të drejtësisë shqiptare për Ilir Kumbaron.

Shkaku mos procedimit të mëtejshëm në gjykatën londineze të ekstradimeve është marrja në shqyrtim nga “Kolegjet e Bashkuara” pranë “Gjykatës së Lartë në Tiranë” të  kërkesës së avokatëve të Ilir Kumbaros.

Ata kërkojnë interpretimin e ligjshmërisë së fletë arrestit të ri ndërkombëtar lëshuar nga pesë gjyqtarë të  Gjykatës së Krimeve të Rënda vitin e shkuar.

I veshur me një kostum gri, këmishë të bardhë dhe një kollare ngjyrë po gri të errët, i shoqëruar nga i biri, Ilir Kumbaro është ulur qetësisht në bankën e të akuzuarit.

Edhe gjatë kësaj seance që zgjati vetëm 10 minuta kur është pyetur t’i deklarojë gjykatës emrin, Ilir Kumbaro është përgjigjur se ai quhet Shaqa Shatri pavarësisht se Kolegjeve të Bashkuara në Tiranë,  i është kërkuar një interpretim për shtetasin Ilir Kumbaro.

Claire Dobbin, përfaqësuese e shtetit shqiptar i tha gjykatëses Alison Rose se për momentin nuk mund të procedohet me këtë çështje pasi është në pritje të zhvillimeve që do të ndodhin në Shqipëri.

Kjo kërkesë e prokurores Dobbin është pranuar duke u vendosur data 25 nëntor për t’i raportuar gjykatës për zhvillimet e pritëshme nga drejtësia shqiptare për këtë cështje.

Ndërkohë Top-Channel ka mësuar se “Kolegjet e Bashkuara” do ta shqyrtojnë kërkesën e avokatëve të zotit Kumbaro pas datës 20 nëntor.

Ndërsa seanca kryesore e shqyrtimit të kërkesës së drejtësisë shqiptare do t’i paraqitet gjykatësit Haëard Riddle, i cili më 24 Mars 2009 mbërriti në përfundimin se personi  i arrestuar pa më të voglin dyshin është Ilir Kumbaro dhe se kërkesa e ekstradimit ishte në përputhje me ligjin britanik të ekstradimeve.
Zoti Kumbaro vazhdon të jetë i lirë me kusht duke u paraqitur tre herë në javë në stacionin e policisë Fulham dhe mbajtjen në këmbë të një çipi elektronik monitorimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA