Xhafaj: Të presim qëndrimin e Kushtetueses

21/10/2010 16:05

Deputeti demokrat Eduart Halimi deklaroi se kolegu i tij socialist Ilir Beqja, për mandatin e të cilit po diskutohet sot në seancë plenare, ka përfituar para në kohën kur kishte bërë betimin si ligjvënës.

Halimi akuzoi Beqjan se ka përfituar fonde publike, ndërsa mbi 200 milionë lekë i fitoi për një kohë të shkurtër në kohën që ishte në detyrë.

Pas tij ishte deputeti sopcialist Fatmir Xhafaj, i cili pretendon se Beqja është sulmuar politikisht, ndërsa akuzoi mazhorancën se kërkon të njollosë deputetët e opozitës.

“Beqja hoqi dorë nga kompania para betimit si deputet. Ju ftoj që të ndalojmë këtë seancë dhe të presim qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë cështje”, tha Xhafaj.

Ndërkohë kreu i grupit kuvendor demokrat Astrit Patozi ftoi deputetët socialistë që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese edhe për cështjen e kutive të votimit.

Sipas Patozit, sot në kuvend nuk debatohet për mandatin, sepse është Gjykata Kushtetuese që vendos për vlefshmërinë e tyre.

“Sot po flasim për një deputet që ka shkelur kushtetutën dhe ju solidarizoheni në emër të dhunimit të Kushtetutës, në emër të 20 përqindëshit, në emër të zhvatjes së vlerave. Sot po bëjmë një debat shumë konceptual për filozofinë e 20 perqindëshit”, tha Patozi.

Numri një i deputetëve demokratë theksoi se argumentat juridikë që ngre opozita për deputetin Beqja nuk qëndrojnë, ndërsa shtoi se për shkak të kryetarit Edi Rama, të gjithë socialistët janë njëlloj të implikuar, përsa kohë të marrin përsipër që shkeljen e Kushtetutës ta mbrojnë bashkarisht

Top Channel