
Cecilia Malmstrom, Komisionere Europiane për Çështjet e Brendshme, i ka dërguar një letër Ministrave përkatës të Serbisë dhe Maqedonisë, Ivica Dacic dhe Gordana Jankolovska, ku i njofton për rrezikun e kthimit të regjimit të vizave.
“Mund t’ju konfirmoj se Malmstrom ka shkruar letrën dhe se nga ana e Komisionit Evropian vëmë re se ka një problem shumë serioz. Kishim folur për këtë në fillim të vitit, por tani po shohim se problemi po ripërsëritet pasi disa vende anëtare po përballen me një shtim të numrave të azil-kërkuesve nga Serbia dhe nga ish Republika Jugosllave e Maqedonisë”, është shprehur zëdhënësi i KE-së, Michele Cercone.
E alarmuar nga vendet anëtare, Komisionerja Malmstrom përsërit kërkesën e saj në letër ndaj autoriteteve të Shkupit e Beogradit, për marrjen e masave konkrete për ndalimin e këtij fenomeni duke kërcënuar se në rast të kundërt “BE do të ndërmarrë veprimet e duhura”.
“Është e qartë se në këtë fazë ku jemi, nuk ka qëllim politik të Komisionit për të rivendosur regjimin e vizave pasi pjesa më e madhe e qytetarëve të këtyre vendeve që sillen në mënyrë korrekte nuk duhet të penalizohen për shkak të një problemi të lokalizuar dhe shumë specifik. Por ky problem duhet zgjidhur dhe duhet që autoritetet e këtyre vendeve të aktivizohen në mënyrë konkrete për të zgjidhur këtë problem për të cilin ofron ndihmë edhe Komisioni dhe vendet anëtare”, tha Cecerone.
Për këtë çështje, një mision zyrtarësh të lartë nga Komisioni Europian dhe Presidenca Belge ndodhen këtë javë, për të biseduar me autoritetet lokale, në Maqedoni e Serbi.
Top Channel