Eurodeputetja sllovene Tanja Fajon përcolli në Prishtinë mesazhe jo të mira. Ajo tha se Kosova është larg proçesit të liberalizimit të vizave.

Pas një takimi me ushtruesin e detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, eurodeputetja kërkoi nga institucionet e shtetit të ri që së pari të luftojnë krimin, korrupsionin dhe të bëjnë menaxhimin e integruar të kufijve, të cilat janë dhe kushtet bazë.

Megjithatë Fajon shpreson që Kosova deri në fund të vitit 2010 do të marrë të paktën udhërrëfyesin.

“Ende nuk ka një udhërrëfyes për Kosovën. Ka ende shumë punë për t’u bërë, punë te cilat Shqipëria dhe Bosnja i kane kryer vitin e kaluar. Ndërkohë Kosova e ka nisur seriozisht punën e saj në këtë proçes, por ka shumë për të bërë. Është shumë e rëndësishme që Kosova të kuptojë se si të zbatohen të gjitha kriteret, por kjo nuk është e lehtë dhe proçesi është i gjatë. Duhet të gjejmë rrugë se si të dilet nga kjo situatë. Duhet të luftohet krimi dhe korrupsioni në mënyre që të ecni përpara. Liberalizimi i vizave është një hap i rëndësishëm drejt BE-së dhe për ketë kam ardhur këtu. Kërkoj zbatimin e kritereve pasi kjo është shume e rëndësishme”, deklaroi eurodeputetja Fajon.

Ndërkohë ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi u kërkoi deputetëve evropianë që të ndihmojnë Kosovën në këtë proçes.

“Kërkova që ashtu siç ka qënë e suksesshme për liberalizimin e vizave me dy vendet ( Shqipëria dhe Bosnja), të jetë e suksesshme në liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Përshpejtimi i liberalizimit të vizave për qytetarët Kosovës është shumë domethënës”, u shpreh presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi.

Më tej Krasniqi e njohu eurodeputeten me punën e legjislativit kosovar. Ndër të tjera për detyrimet e kryera në hartimin e ligjeve të cilat ishin rekomanduar nga raporti i progresit vitin e kaluar.

Top Channel