
Studentët shqiptarë që kanë studiuar apo vazhdojnë studimet në Universitetin e Tiranës, do të kenë mundësi që të ndjekin cikle studimi, mastera dhe doktoratura edhe në Universitetin publik të Varshavës.
Kjo falë nënshkrimit të marrëveshjes mes Universitetit të Tiranës dhe atij të Varshavës.
Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, tha se kjo marrëveshje do të shtrihet në ato cikle studimi, ku të dyja vendet kanë interes, ndërkohë që edhe bashkëpunimi në kërkimin shkencor do të jetë prioritet.
“Parashikojmë që studentët që ndjekin arsimin e lartë në Universitetin e Tiranës të shkojnë në Universitetin e Varshavës, sidomos në ciklet e dyta dhe të treta të studimit, master dhe doktoraturë në fushat ku do të shohim interes reciprok”, tha Kule, rektor i Universitetit të Tiranës.
Rektorja e Universitetit të Varshavës tha se Polonia, ashtu si Shqipëria, ka një sistem arsimor të ngjashëm në ciklet e studimit dhe në kurrikula.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, do të jenë fakultetet ato që do të fillojnë të aplikojnë në bazë të kritereve, për të përfituar nga kjo marrëveshje.
Top Channel