Dy agjenci të specializuara në mbulimin e politikave të BE-së, “EUobserver” në bashkëpunim me “Waz”, por dhe “Euroactiv”, ngrenë alarmin për rrezikun e rivendosjes së regjimit të vizave me Ballkanin, për shkak të abuzimeve me kërkesat për azil nga Maqedonia dhe Serbia.

“Euroacitv” përmend Gjermaninë, Suedinë dhe Belgjikën si vendet më të prekura anëtare. 4 mije shtetas serbë rezultojnë të kenë kërkuar azil në Suedi këtë vit. Në Gjermani, duke cituar Ministrin e Brendshëm të rajonit të Bavarisë, kjo agjenci thotë se gjate 2010-tës numri i azilkërkueseve nga Serbia dhe Maqedonia është 3-fishuar krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë që në Belgjikë, vetëm gjatë verës flitet për 221 aplikues për azil nga Maqedonia, 272 serbë dhe 626 kosovarë.

Shifra këto alarmante, sipas “Euobserver” dhe “Waz” që detyruan ministrin belg të emigracionit, Melchior Wathelet, të shkojë për të dytën herë brenda këtij viti në Serbi e Maqedoni. Në të njëjtin shkrim përmendet dhe dëshira e ministrit Bavarez për të rikthyer regjimin e vizave me Maqedoninë dhe Serbinë.

Nga të dy këto vende rezulton se aplikuesit për azil i përkasin minoriteteve etnike shqipëtare e rome dhe kërkesa e tyre bazohet në arsye ekonomike, çfarë përbën pretekst për kthimin e tyre në vendin e origjinës në bazë të marrëveshjes së riatdhesimit, sipas “Euroactiv”.

Duke ju referuar shtypit serb, këto dy agjenci shprehen se me t’u kthyer nga Sllovenia, ministri i Brendshëm Daçiç, ka pranuar se në takimin e BRDO-s është folur për “monitorimin e zbatimit të marrëveshjes për heqjen e vizave” e mbi mënyrat sesi të parandalohet problemi i azilkërkuesve.

Top Channel