Rama: Linda, gjysma ime më e mirë

21/10/2010 22:50

Cili do të jetë ndikimi i Linda Bashës (që nga e diela e ardhshme Linda Rama) në jetën dhe aktivitetin politik të kryetarit të PS-së dhe kreut të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama dhe çfarë do të plotësojë ajo në krah të liderit të opozitës shqiptare?

Këtyre pyetjeve iu përgjigj vetë kryetari socialist, Edi Rama në Top Story, ku ndodhej i ftuar bashkë me bashkëshorten e tij të ardhshme.

Zoti Rama tha se Linda është gjysma e tij më e mirë me të cilën bisedon dhe e dëgjon me vëmendje gjithçka që thotë.

“Linda është gjysma ime më e mirë. Bisedojmë për shumë çështje dhe dëgjoj me vëmendje çka Linda thotë dhe nuk ka dyshim që Linda është shumë e dhënë pas punëve të saj, pas kërkimeve të saj dhe të jetës universitare dhe jam i bindur që duke qënë e distancuar nga arena e betejës së përditëshme politike do të jetë një mbështetje shumë e mirë dhe një pikë referimi për të mbetur në ekuilibrin e domosdoshmërisë për të marrë vendime të atypëratyshme”, tha zoti Rama.

Ndërkohë vetë bashkëshortja e ardhshme e Edi Ramës deklaroi publiksht se nuk do të luajë rol në politikën shqiptare, por se do të mbesë një mbështetje shpirtërore për Edi Ramën.

“Nuk do luaj rol në politikë, absolutisht jo.  Mendoj që do jem një mbështetje shpirtërore e Edi Ramës. Unë besoj që të jesh sot një grua që merresh me politkë është sakrificë tejet e madhe, të jesh grua pranë politikës për shkak të bashkëshortit është një detyrë jo e lehtë, tejet e vështirë. Ajo që unë do të bëj është se do të jem mbështetëse e Edi Ramës. Mendoj që në një familje një duhet të jetë politikan”, tha zonja Linda Basha.

Deklarata e zonjës Basha u komentua me humor nga Rama i cili u shpreh se PS nuk ka vetëm anëtarë, por ka edhe dashamirës dhe simpatizantë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA