
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ilir Meta paralajmëroi investitorët e huaj se viti 2011 do të jetë periudha e privatizimeve të mëdha dhe strategjike.
Në takimin e zhvilluar dje në Tiranë, me Shoqatën e Investitorëve të Huaj, ministri Meta vuri në dukje faktin e investimeve serioze që po kryhen në sektorin energjetik, ndërsa tha se Shqipëria është e hapur për investime të mëtejshme, duke garantuar planin e kthimit të vendit si eksportuesi më i madh në rajon.
Ministri foli edhe për parqet energjetike, zonat e lira industriale dhe për linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Itali, që garanton zgjerim të mëtejshëm të tregut energjetik në vend, deri në Austri.
Takimi i ministrit Meta me Shoqatën e Investitorëve të Huaj vjen në një moment kur qeveria shqiptare sapo ka miratuar projektligjin “Për investimet e huaja”, sipas të cilit i jepet një mbrojtje më e drejtë investitorit në momentin kur përballet me ndonjë konflikt prone.
Top Channel