Largime dhe emërime në bashkinë e Tiranës

21/10/2010 08:50

Largime dhe emërimet e reja në stafin e Bashkisë së Tiranës kanë krijuar diskutime, por nuk kanë ndryshuar hovin e punës në Bashkinë e Tiranës.

Konkretisht, në më shumë se një muaj, brenda një periudhe të shkurtër kohore në Bashkinë e Tiranës kanë lëvizur, janë larguar, emëruar e zëvendësuar punonjës, por edhe drejtues e poste të rëndësishme për një dikaster.

Sipas Bashkisë së Tiranës, ka pasur ndryshime të këshilltarëve, drejtues drejtorish e madje janë shënuar edhe rikthime të tjera.

Konkretisht javët e fundit në stafin e këshilltarëve të Edi Ramës shënohen prurje të reja. Po ashtu, vendi bosh në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Jashtë është plotësuar, pasi strukturat administrative kanë firmosur emërimin e ri.

Pritet një tjetër emërim në një nga drejtoritë kryesore, ku vendi i drejtuesit ka mbetur bosh. Erion Ndroqi është emëruar në postin e drejtorit të marrëdhënieve me jashtë.

Sakaq, pak kohë më parë Belinda Balluku është emëruar në postin e shefes së kabinetit. Ndërkohë që në vendin e nënkryetares së bashkisë është rikthyer Vali Bizhga.

Një tjetër emërim që është bërë në Bashkinë e Tiranës, është në rang këshilltarësh. Marinela Lika tashmë zyrtarisht është një nga këshilltaret e reja të kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama.

Sakaq, në këtë dikaster pritet të mbërrijnë të tjerë punonjës të rinj, jo vetëm në rangjet e specialistëve apo ekspertëve, por edhe në poste të tjera të konsideruara me rëndësi e përgjegjësi.

Nga ana tjetër, ashtu siç është parë edhe në anketa apo sondazhe, Bashkia e Tiranës mbetet një nga institucionet që ka më shumë femra të punësuara si në role drejtuese ashtu edhe në drejtori apo specialitete me më pak angazhim.

Top Channel