Gjinushi: Takimi Meta-Nano, fundi i moralit politik

21/10/2010 00:45

Në vijim të fjalës së tij në Top Show, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama deklaroi se para zgjedhjeve të 2005-ës LSI ftoi në një tryezë të gjithë spekterin e majtë, përfshirë edhe Nanon, tryezë kjo që nuk u pranua nga opozita e sotme, e cila sipas tij nuk donte fitoren e së majtës.

“Para zgjedhjeve të 2009 thërritëm liderët e së majtës në një tryezë për të diskutuar se si të fitonte e majta, por as zoti Gjinushi nuk dëshironte fitoren e së majtës në atë kohë”, tha zoti Rama.

Më tej Rama komentoi takimin e para disa ditëve mes Nanos dhe Metës. Sipas tij askush nuk duhet të ketë frikë nga takime të tilla përderisa ato gjithmonë kanë sjellë një produkt të dobishëm për vendin.

“Publiku nuk duhet të ketë frikë nga takimet Nano-Meta kur ato sa herë që janë bërë kanë sjellë një produkt të dobishëm. Shqipëria sot është në një realitet tjetër”, deklaroi Rama.

Deklarata e Ramës u kundërshtua nga kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi i cili tha se deklaratat e lëshuara pas takimit Nano-Meta i japin fund moralit të politikës.

Por për anëtarin e Asamblesë së PS-së, Ylli Manjani, Ilir Meta dhe Fatos Nano mbajnë përgjegjesi për lënien e së majtës jashtë pushtetit dhe të mbajtjes së kësaj qeverie në pushtet.

“Nëse të dy personazhet do të kishin gjetur gjuhën e përbashkët brenda PS-së, partia Demokratike nuk do të kishte shanse për të qeverisur. Kanë përgjegjësi themelore që për shkak të grindjeve sollën në pushtet këtë qeveri, vazhdojnë ta mbajnë dhe lanë Partinë Socialiste në mëshirë të fatit. Edi Rama erdhi në krye të PS pasi nuk kishte alternativë tjetër”, tha zoti Manjani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA