Berisha humbet mazhorancën

21/10/2010 16:25

Qëndrimi dhe vota e demokratëve për mandatin e zotit Beqja dihej. Ajo që pritej me kërshëri të madhe, ishte vota e mazhorancës dhe si do të vepronin socialistët. (UPDATE)

Seanca pati dy momente kyç: Së pari socialistët votuan dhe kjo ishte hera e parë për ta, në këtë legjislaturë. Kurse demokratët, të paktën në rastin e këtij votimi politik, zbritën në 70 vota, duke humbur mazhorancën prej 71 deputetësh. Votimi u parapri nga diskutimet. Sipas demokratëve deputeti Beqja ka shkelur Kushtetutën, duke përfituar fonde publike në tetor 2009, pra pasi ishte shpallur deputet nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. Vetë zoti Beqja e cilësoi këtë një fushatë balte dhe shpifjesh, pasi sipas tij nuk ka asnjë shkelje, përderisa ai nuk kishte bërë ende betimin në Kuvend.

“Unë jam në politikë për Shqipërinë e të gjithëve. Nuk e kam shkelur betimin e bërë si deputet”, tha Beqja.

Kryeministri vlerësoi kompaninë e informatikës, ku deputeti Beqja është aksioner. Por tha se ai nuk duhet të jetë më deputet për të përfituar fonde publike.

“E ke provuar më shumë së të gjithë të tjerët në tenderat që ke fituar, por nuk përjashtohet mundësia që edhe në Këshillin e Ministrave të fitosh tendera të tjerë, por kësaj here pa mandat”, tha Berisha.

Në emër të grupit socialist, foli Fatmir Xhafaj, i cili tha se deputeti Beqja kërkonte vetëm drejtësi.

“Beqja nuk ka nevojë për mbrojtje, por për t’i garantuar të drejtën që ka me vete”, tha Xhafaj.

Kryetari i grupit demokrat Astrit Patozi hodhi poshtë argumentin e socialistëve se mandati fillon kur deputeti bën betimin.

“Nuk besoj që ju, meqë u betuat me vonesë, do e përfundoni mandatin në kohë të ndryshme nga ne”, tha Patozi.

Në momentin e votimit, socialistët kërkuan votim të fshehtë, duke evokuar nenin 60.1 e rregullores së kUvendit.

“Në emër të grupit parlamentar, neni 60 kërkojmë që votimi të bëhet i fshehtë”, tha Ruçi

“Në bazë të nenit 14 pika 3 në raste të ngjashme me këto, votimi nuk është bërë i fshehtë”, iu përgjigj Topalli.

Gjatë votimit, deputeti socialist Fatmir Toci nuk mundi të votojë dhe kjo duket qartë nga tabela elektronike. Socialistët akuzuan për manipulim. Në fund, votimi dha këtë rezultat. Ilir Meta nuk e zhgënjeu kryeministrin. Po ashtu edhe nën kryetari i Kuvendit, deputeti tjetër i LSI-së Nasip Naco. Kurse deputeti tjerë i LSI-së Lefter Koka abstenoi. Abstenoi edhe deputeti i PDU-së Dashamir Tahiri. Kurse kryetari i PDU-së Shpëtim Idrizi votoi kundër. Po ashtu, kundër heqjes së mandatit votuan edhe Paulin Stërkaj dhe Dritan Prifti.

Në çdo rast, në këtë seancë, mazhoranca prej 71 votash, dukej e humbur.

Socialistët pyesnin veten se si do të kishte qenë ky rezultat, nëse votimit do të ishte bërë i fshehtë?

Top Channel