
Mazhoranca dhe opozita do të luftojnë sot dhëmbë për dhëmbë në Kuvend për të mbajtur apo rrëzuar numrat për votimin e mandatit të socialistit Ilir Beqja.
Çelësi i fitores që secila forcë politike do luftojë sot në Kuvend qëndron te mënyra e votimit.
Parlamenti do të votojë sot kërkesën e një grupi deputetësh, për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për të konstatuar papajtueshmërinë me detyrën të deputetit Ilir Beqja.
Mënyra se si do të kryhet votimi është një tjetër përplasje që do të ndodhë në seancën e sotme mes forcave politike të majta dhe të djathta.
Socialistët presin votim të fshehtë, ndërsa Kuvendi ka një direktivë të qartë për mënyrën sesi do të kryhet votimi.
Burime pranë Kryetares së Kuvendit bëjnë me dije se votimi do të bëhet i hapur, pasi sot në Kuvend do të votohet për raportin që do t’i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese dhe jo për “individin”.
Deputetët demokratë, nga ana tjetër, pohojnë se votimet janë bërë gjithmonë të hapura dhe për këtë çështje nuk ka pse duhen bërë përjashtime.
Do të jetë mbledhja e grupit të PD-së, një mbledhje formale kjo që do të zhvillohet përpara seancës që do të vendosë për mënyrën e votimit, por gjasat janë që ai të jetë i hapur.
Duket qartë se në këtë pikë demokratët janë kompleksuar nga matematika e numrave në Kuvend dhe stepen për të shmangur ndonjë surprizë të mundshme gjatë procesit të votimit.
Votimi i fshehtë, i kërkuar nga socialistët nëse do të sillte qoftë edhe një rrjedhje vote nga mazhoranca do të shkaktonte prishje të ekuilibrave në Parlament.
Demokratët dhe republikanët kanë vetëm 68 vota në Kuvend, ndërkohë që votat e Ilir Metës, Nasip Naços dhe Lefter Kokës janë vendimtare për të çuar numrin e mazhorancës në 71.
Top Channel