“Adem Demaçi, nuk është anëtar i lëvizjes ‘Vetëvendosje’ prandaj respekti ndaj figurës së tij nuk do të thotë pajtim në çdo pikëpamje”. Në këtë mënyrë iu përgjigj lideri i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti pyetjes së një studenti kosovar nëse ai është pjesë e pushtetit aktual sikurse Adem Demaçi i cili është përkrahës i politikës që ndjek kryeministri Hashim Thaçi.

“Demaci nuk është me lëvizjen “Vetëvendosje’. Me atë kam bashkëpunuar dhe kam respekt të madh, por kjo s’do të thotë se pajtohemi për gjithçka”, është shprehur Kurti.

Këto komente ai i bëri gjatë një ligjerate në Universitetin Amerikan të Kosovës. Ndërsa shpalosi pjesë të programit të tij politik e ekonomik, Albin Kurti u detyrua të japë sqarime edhe për etiketimin që po i bëhet kohëve të fundit si politikan i së majtës ekstreme.

“Politikanët tanë e kanë ulur pazarin me ndërkombëtarët në këto dhjetë vjet aq poshtë saqë dukemi vërtetë ekstrem”, tha Kurti.

Albin Kurti i cili është futur për herë të parë në garë zgjedhore tha se mjeteve të deritanishme jashtë institucionale do t’u shtohen edhe ato institucionale, por qëllimi nuk do të ndryshojë.

Sipas Kurtit, plani i Ahtisarit nuk do ta bëjë Kosovën të funksionojë si shtet normal.

Top Channel