Van Rompuy: Reformat, përgjegjësi e qeverisë

20/10/2010 19:50

Presidenti i Këshillit Europian Herman van Rompuy, në vizitën e tij të parë në Shqipëri erdhi me dy mesazhe. (UPDATE)

Mesazhi i parë ishte rajonal: Bashkimi Europian mbështet perspektivën europiane të Ballkanit perëndimor.

Mesazhi i dytë: Bashkimi Europian mbështet Shqipërinë, por përgjegjësia për reformat bie mbi udhëheqjen shqiptare.

Refreni është i njohur, por merr një vlerë të vecantë për kohën kur thuhet: më 8 nëntor pritet që të vendoset përfundmisht heqja e vizave me Shqipërinë, kurse një ditë më pas, më 9 nëntor, Komisioni do të bëjë publik rekomandimet për aplikimin e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Nëse vendimi për vizat më 8 nëntor pritet që të jetë pozitiv, nuk do të jetë plotësisht pozitiv rekomandimi i Komisionit më 9 nëntor.

Presidenti Van Rompuy siguron se rekomandimi i Komisionit në cdo rast do të jetë objektiv. Komisioni nuk ka lidhje ndërvarësie me Këshillin Europian, që drejtohet nga presidenti Van Rompuy, por që të dy janë pjesë e kuadrit institucional të Bashkimit Europian.

“Nuk më takon të spekuloj për brendinë e rekomandimeve të Komisionit. Por në cdo rast, opinioni do të jetë i drejtë, objektiv dhe reflektues i situatës në vend, duke i dhënë merita arritjeve të Shqipërisë dhe duke identifikuar sfida të mëtejshme për t’u përballur dhe drejtime të reja për Shqipërinë në reformat e saj”, ka deklaruar Van Rompuy.

“Në rrugën drejt Bashkimit Europian ka ende punë për të bërë. Progresi i qëndrueshëm në fushat që kanë lidhje me shtetin e së drejtës, si reforma e drejtësisë dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, janë cështje kyce. Edhe reformat lipset që të zbatohen në mënyrë efikase. Bashkimi Europian do t’ju mbështesë juve në përpjekjet tuaja, por sigurisht që përgjegjësia kryesore për ecjen përpara bie mbi Shqipërinë dhe udhëheqësit shqiptarë”, ka theksuar ai.

Kryeministri Berisha pranon se edhe ky raport i Komisionit, njësoj si raportet e mëparshme, do të shndërrohet në dokument pune për qeverinë shqiptare.

“Unë e garantova presidentin se angazhimi i qeverisë sime do të jetë për ta afruar gjithnjë e më shumë Shqipërinë me BE-në”, ka pohuar Berisha.

Presidenti Van Rompuy u prit në Prsidencë edhe nga presidenti i Republikës Bamir Topi. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Prsidencës shqiptare, kreu i shtetit theksoi në këtë takim se:

“Vullneti dhe përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për përmbushjen e standarteve të kërkuara, janë dëshmi e interesit dhe e angazhimit të pandërprerë të shtetit dhe qytetarëve shqiptarë për integrimin europian”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA