Admirali amerikan i NATO-s, James Stavridis ka vlerësuar se rajoni i Ballkanit ka bërë shumë progrese, pavarësisht se në të janë ende të pranishme tensionet.
Duke folur në një intervistë për VOA, Stavridis e ka vënë theksin tek anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.
“Shqipëria dhe Kroacia janë një shembull i mirë i progresit në Ballkan dhe shpresoj që ai të ndiqet nga vendet e tjera”, ka deklaruar Stavridis.
Ai ka theksuar se këto janë arritje të rëndësishme, të cilat tregojnë se Ballkani nuk mund të kthehet si ai i 10 viteve më parë.
Sipas tij, një tjetër tregues për situatën e re është edhe plani i NATO-s për reduktimin e pranisë së trupave të KFOR-it në Kosovë.
“Kam besimin se KFOR do vijojë të reduktojë trupat në Kosovë nga 9 mijë, në 5 mijë në muajt e ardhshëm. Pra, unë shoh përparim”, ka nënvizuar Stavridis, i cili është shprehur optimist edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ndihem i inkurajuar nga mesazhet e Beogradit dhe Prishtinës dhe kam besim se këto vende do të dinë t’i zgjidhin problemet e tyre përmes dialogut”, ka pohuar Stavridis.
Ai ka shtuar më tej se problemet e tjera, si ai i trafikut të qënieve njerëzore dhe narkotikëve mund të zgjidhet me anë të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit dhe atyre të BE-së.
Top Channel