Hiqet dorë nga dëshmia e motrës së Ajshes. Ndërsa është konsideruar
vazhdimisht si një dëshmi kyçe për sa i përket fillimit të abuzimit të
80-vjeçarit Shaban Norja me viktimën Ajshe Vata, tashmë marrja e
dëshmisë konsiderohet si një fakt që nuk mund të sjellë ndonjë gjë të
veçantë për hetimin, pasi janë të gjithë provat e mundshme që e
fajësojnë të arrestuarin.
Lajmi bëhet i ditur nga burime brenda grupit hetimor të çështjes. Ndërsa jeton jetën e saj jashtë vendit bashkë me familjen, motra e Ajshe Vatës, edhe pse historia e saj është përfolur pa fund, nuk do të jetë pjesë e hetimit mbi ngjarjen.
Të paktën, ky është vendimi paraprak, ndërkohë që rrjedha e hetimit dhe kërkesa për t’i shkuar deri në fund kësaj historie mund të sjellin vendime të reja në vazhdim. Pasi ka dhënë intervista, madje edhe televizive, prokurori Sokol Nishani, i kontaktuar dje nga “Shqip”, është distancuar nga dhënia e informacionit, pasi sipas tij, ato janë keqkuptuar, ndërsa kanë qenë në funksion të informimit për ngjarjen. Deklarimet e grupit hetimor kanë krijuar një situatë të rëndë dhe probleme të mëtejshme për anëtarët e familjes Vata, që janë vënë në shënjestër të gjykimeve dhe paragjykimeve për një histori ende të pazbardhur plotësisht, pa menduar se ajo është familja që ka pësuar gjëmën dhe jo anasjelltas në raport me familjen Norja, të cilën policia dhe prokuroria nxituan ta marrin në mbrojtje për të mos u dëmtuar më tej.
Prokurori Nishani, dje tha për se nuk mundet të deklarojë më asgjë, pa u mbyllur hetimet e plota mbi ngjarjen, ndërkohë anëtarë të grupit hetimor thanë se dëshmia e motrës së Ajshes nuk do të merret. Sipas burimeve, provat flasin qartë për krimin dhe hetimet e mëtejshme nuk do të sillnin ndryshime, ndërkohë që familja Vata dhe anëtarët e saj po kalojnë një periudhë të vështirë, kështu që është vendosur anulimi i kësaj dëshmie. Prokuroria kishte shprehur më parë dyshimet e saj, bazuar në dëshminë e 80-vjeçarit Norja, se motra që sipas familjarëve ndodhet në Itali, mund të ishte në dijeni për raportin e Ajshes me Shabanin, madje edhe kërcënimet që ai i bënte, pasi ajo ka pasur të njëjtën dhunë seksuale prej tij. Norja pati dëshmuar se ka kryer marrëdhënie seksuale edhe me një nga motrat e viktimës, atëherë kur ai kishte hyrje-dalje me familjen Vata dhe se marrëdhënia e tij shoqërore me burrat e familjes Vata dhe gjithë të tjerët mbaroi pas kthimit në shtëpi të motrës së Ajshes nga burri. Prokurori i çështjes e përforcon më tej këtë. Sipas hetimeve, Shaban Norja, dëshminë e vetme të të cilit e ka prokuroria, ka deklaruar se ka ndenjur së paku 4 apo 5 herë motrën e Ajshes, e cila, sipas tij, ka pasur marrëdhënie seksuale me një person tjetër në fshat. Ai e ka ndjekur dhe i ka vëzhguar. Ai thotë që kishte lajmëruar babanë e saj, Muhamet Vata, që vajza nuk sillej mirë. 80-vjeçari i akuzuar ka thënë që, pas divorcit të motrës së viktimës nga bashkëshorti, një pjesë të fajit, Muhameti ia ka vënë atij, që në atë kohë ka qenë 76 vjeç. Po sipas dëshmive të autorit, vajza, pas divorcit ka thënë që marrëdhëniet i ka pasur me Shabanin. “Nëse raportet janë të vërteta apo jo nuk dihet, dhe kjo nuk është objekt hetimi për momentin”, shprehet grupi hetimor. Informacionet vijnë kontradiktore dhe dëshmia kryesore mbetet ajo e Norjes, pa tentuar më tej, pasi prokurori në këtë deklarim pohon se dëshmia e motrës së përfolur lidhur me marrëdhënien e saj me Shabanin nuk përbën objekt hetimi. Ndërkaq, në Durrës janë të shumtë ata që mendojnë se dëshmia e saj është mjaft e rëndësishme, pasi do të hedhë dritë mbi abuzimin e plakut me dy vajzat Vata, duke iu larguar pretendimit të tij “për marrëdhënie me dëshirë të Ajshes me të që në nisje”, ndërsa ka dhe të tjerë që mendojnë që dëshmia e saj nuk ka asnjë rëndësi dhe se vajza tjetër duhet lënë e qetë në jetën e saj, që mund të jetë tronditur fort, jo vetëm nga humbja makabër e së motrës, por edhe nga përfolja e më shumë se një jave mbi nderin dhe jetën e saj personale. “Nuk arrij ta kuptoj, çfarë ju duhet njerëzve se çfarë ka ndodhur me motrën tjetër. Askush nuk e ka pranuar që është e vërtetë, as familja, as vajza që pretendohet të jetë e përdhunuar dhe as autori. Lëreni familjen në fatkeqësinë e vet dhe mos e njollosni dhe motrën tjetër. Fakt është krimi, dy protagonistët le të jenë objekt, askush tjetër qofshin fajtorë apo jo, për tragjedinë”, thotë një vajzë 25-vjeçare, që ashtu si mijëra të tjera ka ndjekur me vëmendje të gjithë informacionet e përcjellja mbi këtë ngjarje të rëndë që ende mbart enigma.
Top Channel