
Duket se do të jetë Partia e Behxhet Pacollit, Aleanca Kosova e Re, e cila mund ta ndërmarrë nismën për mocionin e votëbesimit të qeverisë Thaçi në Kuvendin e Kosovës.
“Është e patolerueshme të shihet që vendi të hyjë në krizë të thellë institucionale dhe të mos votohet. Në cdo vend normal, kur prishet koalicioni qeverisës zhvillohen zgjedhjet e parakohshme”, ka deklaruar Ibrahim Makolli, nënkryetar i AKR-së.
Kalimi i mocionit të votëbesimit ndaj qeverisë do të bënte që Kosova të shkonte drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, që do të mbaheshin brenda 2010-ës.
Madje, është kryetari i Aleancës Kosova e Re i cili i ka ftuar publikisht subjektet politike opozitare që të bashkohen të enjten në një tryezë për të unifikuar qëndrimet në lidhje me krizën institucionale.
“Kjo krizë dëmton para së gjithash interesat e qytetarit të Kosovës, i cili mbetet pa përgjigje për hallet dhe shqetësimet e tij”, thuhet në letrën e Pacollit.
Kjo ftesë vlen vetëm për subjektet politike opozitare, e jo edhe për Partinë Demokratike të Kosovës, e cila ka mbetur pa aleatin qeverisës, LDK-në, e cila të hënën largoi njerëzit e vet nga postet që u takonin në bazë të një marrëveshjeje të lidhur me PDK-në e Hashim Thaçit, në janarin e 2008-ës.
Top Channel