LDK: S’ka rrethana për zgjedhje të jashtëzakonshme

20/10/2010 15:30

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës dhe sekretar i përgjithshëm i LDK-së, Ramë Manaj, ka deklaruar se në Kosovë nuk janë krijuar ende rrethanat për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Fillimisht duhet të respektohen të gjitha procedurat kushtetuese dhe ligjore dhe në çfarëdo rrethane duhet të zhvillohet një proces i mirëfilltë zgjedhor, që do t’i sillte vendit institucione të qëndrueshme”, ka theksuar Manaj në një intervistë për BBC.

Ai ka thënë se LDK i përmbahet datës së përcaktuar për zgjedhjet e parakohshme më 13 shkurt të vitit të ardhshëm deri në një konsensus mes forcave politike për ndryshimin e kësaj date.

“Në qoftë se ndërkohë krijohen parakushtet për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme, LDK do të kërkojë që të respektohen procedurat ligjore dhe zgjidhjet që i ofron Kushtetuta në të gjitha situatat e krijuara”, ka shtuar Manaj.

Top Channel